Tirana e shumë pikëpyetjeve.


 Të kalosh nëpër Tiranë me gjithë arkitekturën e saj të çuditshme (jo pak herë të pavend) dhe të mos kesh pytje se çfarë kuptimi ka kjo apo ajo tjetra, është pothuajse e pamundur. Më keq akoma, për këtë nuk duhet të jesh domosdoshmërisht i huaj.

Sigurisht që Tirana ka vende të cilave po tu kalosh në anë nuk do ta kursejnë kënaqësinë e të jetuarit ne këtë kryeqytet të madh të kësaj shqipërie të vogël. Megjithatë ka kaq shumë pyetje.
Jo rrallë të ndodh të kalosh përgjatë bulevardit  Dëshmorët e kombit , përkatësisht pranë piramidës, ish-muzeu « Enver Hoxha » (për pak parlamenti i ri). Por përpos faktit që kam kaluar kaq herë, asnjëherë deri më sot nuk më kishte shkuar ndërmend të pyesja ndonjëherë për « murin me vrima ». Ndoshta sepse pas këtij muri gjendet Kambana e paqes, e cila u ndërtua duke përdorur gëzhoja të shkrira, të mbledhura nga trazirat e vitit 1997, nga fëmijët e komunitetit katolik të Zadrimës dhe isha mjaftuar të dija vetëm për kambanën.
Sot kalova, i hodha një sy dhe me një intonacion ironik kthehem dhe pyes shoqen që ishte me mua: Çfarë ka dashur autori të thotë me këto vrima në mur? Ajo nuk më kthen përgjigje dhe kështu nis gjithçka.
Duke ditur historinë e kambanës dhe të materialit me të cilin ish ndërtuar, më shkoi ndër mend dëmi që la ’97-ta për shoqerinë tonë. Plumba të kaluar tej për tej duke lënë të çara dhe vrima, por menjëherë nga ana tjetër, një kambanë, e ndërtuar me gëzhojat e atyre plumbave, që do të linte pas ato të çara dhe do të këndonte me lutje për paqen e kësaj shoqërie, si për të treguar forcën që vjen dhe ngrihet nga dhimbja. Fill pas këtij mendimi, instiktivisht më vishet në fytyrë një buzëqeshje krenarie për forcën e këtij populli të vogël nga unë vij. Por sa keq që nuk zgjati shumë. Menjëhere u kujtova për plagët e këtyre të çarave që vazhdojnë të dhembin dhe sot e kësaj dite.

Madje fillova të quaj arkitektin, parashikues.  Për një çast mu duk sikur të kish parashikuar që ato të çara do të vazhdonin te dhembnin edhe për shumë kohë të tjera. Më erdhi ndërmend nëna ime kur vuan për hallet e saj dhe me një psheretimë gati gati të deprimuar thotë :ʺAsgjë nuk është e mjafueshme akoma. Kemi edhe 100 vrima për të mbyllurʺ.Këto vrima pra, do të dukeshin sot para syve të mi, si 100 vrimat të cilat nëna shqipëri duhet ti mbyllë.

 Pasi ndalova një çast për ti bërë një foto, duke e parë fillova të vija nga një emër për secilën vrimë. Pra, emrat ishin ; Arsimi, Mjekësia, Ekonomia, Infrastruktura, Siguria, Drejtësia, Punësimi, Politika  etj etj. Të sipërpërmendurat, jo rastësisht ishin vrimat e mëdha.
Krahë pune nuk na mungojnë jo, por duke qënë se vuajmë nga « sindroma e padronit » e kemi të kufizuar aftësinë, por sidomos dëshirën dhe vullnetin për tu dhënë krahëve dhe për të punuar më fort. Por që të rritet pema, do punuar dheu e ujitur rrënja nën të dhe sigurisht « padronët » punojnë për të qënë mbí, kështu të mund të kapë frutin dhe ta fusë në xhep. Problemi është se të gjithë duam frutin, të gjithë duam të jemi padronë, por nuk jemi kaq të mëdhenj për të arritur frutin kështu që një mënyrë duhet ta gjejmë. Ata që e kanë punuar nga poshtë kacavirren deri ne çjerrje dhe u duhet shumë kohë për ti arritur. E ata padronët, vënë poshtë tyre të tjere dhe arrijnë të parët. Sot me keqardhje shoh që ka më shumë nga këta aspiruesit për padronë dhe sigurisht që nuk do të duan të mbyllin boshllëqe, por të mbushin xhepat e tyre plot dhe pikërisht prandaj humbasim kaq shumë kohë. 
Nuk ja ndaj sytë fotos dhe sa dhimbje ndjej kur mendoj që nëse do të na duhet edhe shumë kohë për të mbyllur këto vrima, do të vijë më shpejt koha kur ky mur, ky shtet të thërrmohet.

Me te lexuarat

INSTAGRAM