Të drejtat e studentëve të cilat aktualisht nuk i kanë.


Të fillosh të flasësh për të drejtat e njeriut në këtë vend, pa frikë mund të thuhet se të listuara e të ngjitura mureve, mbeten vetëm aq. Thjesht të shkruara bukur për syrin. Jo pak herë hasim në cënimin apo në mos zbatimin e tyre, sidomos në institucione, pikërisht aty ku nuk duhet absolutisht të ndodhë. Përballemi me këtë problem edhe në ambientet e universitetit, në korridoret e të cilit ndodh të dëgjosh mjaft studentë të irrituar dhe nëse nuk të rastis të dëgjosh, me siguri do të jesh ti vetë duke u dëgjuar nga të tjerë.
Jo më larg se para tre muajsh studentët e vitit të parë të ciklit të dytë master pranë FGJH-së u vunë përpara një zgjedhje që ata duhej të bënin në lidhje më lëndën që atyre do tju dukej e pëlqyeshme për ta zhvilluar si “zgjedhje preferenciale” e studentëve.
Lista përbënte 10 lëndë dhe ishte e detyruar të zgjidhje të paktën 2 prej tyre, por ishte lënë në lirinë e studentit për të zgjedhur atë që do të donte. Kështu u tha.
Ajo ç’ka kërkuan studentët ishte që dikush të caktohej dhe ti informonte ata se çfarë zhvillonte secila lëndë dhe pse jo duke ju ofruar e sugjeruar atyre zgjedhjen e duhur.
Përveçse këtë gjë nuk kishte pasur kush ndërrmend ta bënte, në fakt studentët nuk ju nënshtruan aspak një proçesi zgjedhjeje, ashtu siç demek ishte parashikuar.
Kur ata u interesuan të bënin zgjedhjen e tyre, dhe ndodhi të kishte preference të ndryshme, u detyruan të pranonin 2 lëndët të cilat ua kishin zgjedhur që në fillim.
Pra direktivat nga “ Je I detyruar që nga 10 të zgjedhësh të paktën 2 më të preferuarat” u kthyen në “Je I detyruar të ndjekësh 2 të vetmet lëndë që jepen”.
Lojra fjalësh dhe sorollatje të tilla janë mure me të cilat ne përplasemi çdo ditë dhe madje, edhe e drejta për ankimim trajtohet me papërfillshmëri sepse shpesh herë vërdalliset dhe zvarritet tamam ashtu siç e kërkon burokracia institucionale.
Është për të qeshur në fakt kur ironikisht, në kuadër të Akreditimit Institucional, studentët ftohen të bëhen pjesë e këtij proçesi duke u vënë para një pyetësori që nga ç’u kuptua qëllimi ishte të merrte feedback-un e studentëve për “cilësinë” e fakultetit të tyre. Jam e sigurtë që shumë nuk janë përgjigjur ashtu siç do të kishin dashur e ndoshta për arsye se nga gjithë këto shpërfillje të drejtash, të paktën të ja vlejë sakrifica e sorollatjes, zvarritjes dhe talljes të këtij sistemi, për një diplomë universitare që vërtetë të ketë peshën dhe vlerën e duhur.


Me te lexuarat

INSTAGRAM