Falini se janë jerm.

Deliri, një gjendje e pavetëdijshme, zakonisht ndodh të shkaktohet nga tronditje të thella të tipit ethe, temperaturë apo edhe aksidente, ku keto të fundit janë krejt të pavullnetshme. Ne kemi fjalën tonë në shqip « kllapi » apo « përçartje ».
Megjithatë metaforikisht « delirantë » kemi quajtur edhe ata persona që flasin vërtetë përçart, pa lidhje, më kot, me fjalë këtu aty, me ndryshimin e madh tek shkaktuesi/t sepse ndonëse flasim për të njejtën gjëndje, sigurisht atë të pavetëdijshmërisë, kjo e fundit nuk ndodh thjesht nga të qënurit shëndetlig, por nga të qënurit egzibicionistë, shkaku i së cilës siç kuptohet, është kërkuar me zor se ashtu është dashur. Shkurt, shqip ; për tu dukur.
Po i njejti shqipërim i fjalës delir, pra « përçartje », përdoret gjithashtu për këtë metaforizim ndonëse mua më pëlqen ta quaj ndryshe në fakt, ashtu siç thotë populli, jerm. Kam kuptuar se ne si popull, e vuajmë apo e gëzojmë, jermin e kemi në gjak. Flemë, zgjohemi, ecim, flasim, sillemi jerm. Po them; delirantë të jermuar.
Shoqëria shqipëtare nuk ka qënë ndonjëherë e pasur daç nga ekonomia, daç nga intelektualiteti kulturor dhe këtë na e ka treguar me gisht mjaft mirë historia “dje” siç na e tregon aktualitet “sot”.
Pikërisht për këtë arsye kur ja merr shqipëtari për t’ju ngjitur majës së malit(pra suksesit), së pari harron se kë dhe çfarë la poshtë e nga ku dhe si u ngjit sipër, se dyti është e pamundur të mos shfaqë tangërllëk e së treti deliron ulërishëm. Së katërti, që në fakt doja ta qaja e ta vajtoja me të madhe, është kur fillojnë të bëhën mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Të vjen të shkulësh leshtë e kokës kur shikon të pështyjnë dhe të vënë këmbën sipër mundit të atij që i zgjati duart për ta ngjitur atje lart. Por prap, nga aty poshtë, ku të jesh ulur, duke i parë tek krekosen e vetmja gjë që thua është një lutjë për ta. Jo për veten : « Zot fali se nuk dinë çfarë bëjnë. »
Jo pak herë më ka ndodhur të degjoj të rinj, miqtë e miqve të mi, të afërm madje të thonë tekstualisht : « Kur të kthehem në shqipëri do harxhoj të paktën 2000€ apo edhe £ e ta shohin t’gjithë pastaj se kush jam unë ». Pak a shumë si të shkosh deri në majë të malit (po i  kthehem prap) dhe të zbresësh vetëm e vetëm për tu thënë e për tu siguruar që atyre poshtë tu vije mortje nga ajo që ti demek paskesh arritur, por duke qënë ky qëllimi i vetëm, harron ose vërtet nuk ke pasur qëllimin tjetër ndoshta të arritjes të asaj që ti deshe të shohesh tek vetja dhe jo të asaj që të tjerët nuk donin të shikonin tek ty, apo të fryteve që mund të marrësh për tu rritur asaj përpjete dhe jo të vrerit për të fryrë dynjanë asaj tëposhtje. Përveç të shndërruarit në një egoist arrogant, arritjet e cekëta për më tepër jetëshkurtër i kthejnë në qesharakë dhe krejt patetikë.
Fatkeqësisht shqipëtarët e kanë tipik jerm gjumi. Pasi të kenë bredhur e pirë nëpër lokalet e qytetit duke u ankuar për papunësi e varfëri, me siguri fill pas kësaj edhe nja 2-3 gota te tjera , pasi ti kenë kënduar Salës e Ramës duke u rrahur andej nga fundi për votë se për pikë rrihen artistët e pasi ti kenë bërë të gjitha adetet tamam siç ua do zakoni, i këput gjumi me të mbyllur sytë duke i lënë për të nesërmen po të njejtat tangërlliqe, krekosje dhe gjumë.
Falini se janë jerm.

Me te lexuarat

INSTAGRAM