E duam, por të na e japin të tjerë!


Që diç të bëhet në këtë vend duhet punë nga e gjithë shoqëria e këtij vendi dhe pikërisht te shoqëria qëndron problemi. 

Sepse ky popull rrit meshkuj me sindromën e «pashallëkut » duke mbajtur nën këmbë yzmetqaret gra. Fëmijët i bëjnë dhe i trajtojnë si krahë pune sepse në fund të fundit jo rrallë herë dëgjojmë të citohet nga prindërit « prandaj të rritëm të bëmë burrë/grua, që të na vish krahë ». Sepse kur hyn babai (autoritet) brenda të gjithë duhet të lëvizin nëpër shtëpi sepse së pari duhet « të luash vendit » që të tregosh respekt, së dyti të duhet ti vish rrotull në çdo gjë që ai kërkon edhe pse shyqyr zotit duar e këmbë ka dhe fort mirë mund ti shërbejë vetes. Por pashallëkut të burrave domosdo i duhet yzmeti nga duart dhe këmbët e të tjerëve. 

Gruaja ?! As nuk është për tu pyetur fare sepse « atë e di burri », « gratë nuk marrin vesh », « bëni ato punë dhe rrisni ato fëmijë ». Doni akoma ? Ju i dini mirë.
Arsyeja ? Injoranca !
Kjo ndodh në pjesën më të madhe të shoqërise tonë e megjithatë kemi një tjetër kategori që demek bën ndryshimin. Po e them kështu ; nëse shoqëria e sipërpërmendur kullot në livadhe me bar(në pastë mirë, në mos pastë prap mirë), kjo e dyta kullot jonxhë dhe pritet prodhimtari më e mirë nga këta të fundit se yzmeti u është bërë, jonxha u është mbjellë. Të më ndjeni nëse nuk ju pëlqeu ky paralelizëm. Askujt nuk i pëlqen ta quajnë bagëti, sigurisht as mua.

Kjo kategoria tjetër janë këta të mbajturit me të mira, me shumë shkollëra e me diplomëra, këta që bredhin botën dhe kthehen të bëjnë politikën dhe shtetin. Gratë e këtyre u është mbyllur goja pak më me lezet se atyre u mjafton të kurdisen mirë e bukur estetikisht se për punë nuk janë, për mend jo e jo. 

Fëmijët kanë pasur fatin të hanë me lugë të argjendtë dhe fort faj nuk u duhet vënë vetëm sepse pjesa tjetër nuk pati këtë fat. Më besoni ndryshimi nga njëra kategori në tjetrën është vetëm e vetëm fati. Çdokush që do kish qënë në vendin e tyre nuk do kish bërë më shumë. 
Arsyeja? Bollëku dhe « intelekti » tejet sipërfaqësor.
Pastaj është ajo pjesa tjetër shumë e vogël e shoqërise që duhen dhe mund të ja bëjnë të gjitha punët këtij vendi , por këta janë të çmendur, të jermuar sepse harrojnë ku i përkasin kësaj bote; për fatin e tyre të keq janë shumë të vegjël dhe burrat e gartë nuk marrin mend nga të vegjëlit. Ku dinë ata se çfarë është jeta?!

Kështu pra. Në po prisni këmbëkryq që të bëhet ndonjë gjë me siguri jeni nga ata burrat pasha. Në po bëni, por s’po i jepni dum se ç’bëni s’do mend që jeni nga ata që kanë pasur fatin të ju mbjellin jonxhën dhe fundja, as mos u lodhni, veten e keni të siguruar. Në po idealizoni, në po tentoni të bëni diçka atëherë shkruani, këndoni, luani muzikë, pikturoni dhe çfardo gjë tjetër, por mos u ndaloni që këtë të mirë ta na e bëni. 

Me te lexuarat

INSTAGRAM