Hipokritë, mosmirënjohës dhe fodullë

Edhe pse një fëmijë që është rritur dhe shkolluar në qytet, asnjëherë nuk kam mundur të shkëputem as shpirtërisht, as fizikisht nga vendi ku kam lindur. Është një fshat aq i vogël, me njerëz që bëjnë një jetë aq të thjeshtë, të lodhur e të rraskapitur dhe jo sepse janë të vuajtur, por sepse janë punëtorë, sepse nuk duan që fëmijëve të tyre të ju mungojë gjë. Një nga këto familje është edhe e imja. Gjithmonë e kam dashur atë vend me të gjitha mundimet që të jep, i kam dashur dhe i dua ata njerëz me duar të ashpërsuar e të vrarë nga puna. Madje më mungojnë sot duart e Babës e të Nanës të cilat nuk do mund t’i puth më si dikur kur i falenderoja sepse më kishin mësuan të ndihem krenare për duart që më bëhen pis nga puna dhe djersa e ndershme dhe jo nga vjedhja apo vrasja. E mbaj mend shumë mirë nanën time që sa herë punonte kopshtin, dhe unë pas saj duke dashur ta ndihmoj, e dëgjoja të thoshte : « Ah, të qofshim falë ».

Nuk e kam pyetur kurrë kujt ja drejtonte këtë lutje, por e dija mirë se ajo i ishte mirënjohëse Zotit që i jepte fuqinë të punontë dhe Tokës që i shpërblente lodhjen. E mbaj mend shumë mirë dhe tani qesh me naivitet kur kujtoj se ajo nuk përdorte dhe nuk pranonte të hidhte kimikate për zhdukjen e mizës së patates sepse ajo qetë qetë, e duruar, e palodhur merrte një stol, ne i themi « sli », ulej në të dhe hiqte me dorë çdo mizë që gjente në gjethet e patates duke i futur në një kusi për ta derdhur më pas në një vend më të largët. Ose ndoshta ajo nuk i vrau kurrë në praninë time.

« Po ç’të jep xhanëm, ty, një vajze që është rritur në shoqërinë e egër të metropolit, shkolluar në një nga gjimnazet më me emër të Tiranës dhe që po bën një shkollë të lartë nga e cila mëson gjëra shumë larg asaj që mund të gjesh në një fshat aq të vogël e të humbur kushedi se në ç’cep të Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që më është bërë shpesh me nënqeshje ironike dhe në fakt kam qeshur po aq ironikisht e ndoshta edhe duke i mëshiruar për talljen e tyre injorante.
Kam qeshur me hipokrizinë e tyre duke dashur të fshehin atë që realisht janë sepse hiqen sikur bëjnë jetë prej borgjezësh pa menduar se Shqipëria mund të ishte në fakt fshati i ndonjë qyteti të Europës, e madje do të ishte edhe me i civilizuar sesa Tirana, vetëm një copë e vogël si kryeqytet.
I kam mëshiruar për mosmirënjohjen pikësëpari ndaj prindërve sepse harrojnë se gjyshërit jetojnë dhe punojnë akoma në fshatrat ku kanë lindur e rritur prindërit e këtyre që më bëjnë këtë pyetje sot. Sepse harrojnë se jo para shumë kohësh edhe vetë prindërit e tyre kanë bërë po të njejtat punë që këta « borgjezët » të rriten mes bollëkut dhe mundësive të barabarta për të ecur shumë më përpara. Por në vend të puthin me falenderim dhe të krenohen për mundin e atyre duarve që ju mundësoi një jetë të mirë, më drejtohen mua me një pyetje ngërdheshëse prej mospërfillësi duke pështyrë mbi ata duar.
Ama për fodullëkun e tyre as nuk mundem të qesh e as nuk mundem të mëshiroj. Ai fodullëk mua më shqetëson jashtëmase kur mendoj se mund të ulet në karriget e politikëbërjes në shqipëri. Sepse në fund të fundit kushdo të ulet në krye të shtetit, është rritur në mesin e kësaj shoqërie dhe kemi shumë në politikën tonë njerëz që tregojnë përditë se ata janë rritur me mllef, urrejtje, duke zhvlerësuar e mospëfillur atë që ju është dhënë. Më shqetëson sidomos ditëve të sotme, ku ne kërkojmë me ngulm të ecim përpara si një shtet, komb e shoqëri e empancipuar. 

Civilizimi dhe emancipimi të dashur hipokritë, mosmirënjohës dhe fodullë, nuk vjen nga njerëz si ju që pretendoni se jeni qytetar vetem sepse keni lindur në një qytet. Civilizimi vjen nga nje faleminderit që ju përtoni ta thoni, nga një më fal që kërkon guxim dhe ju nuk e keni, nga një të lutem që kërkon përulje e të cilën ju nuk e njihni.
Emancipimi fort të dashur, nuk vjen nga një imitim i neveritshëm i perëndimit që ju e çoni në degradim, por vjen nga përqafimi i së resë duke e pranuar atë si një rritje që e solli mundi, rropatja, sakrifica e vuajtja e asaj shoqërie që të sollën në jetë.

Çdo e mirë vjen nga mirënjohja e të qënurit edhe një ditë tjetër gjallë për të dashuruar e që të të dashurojnë. Unë i jam mirënjohëse çdokujt dhe çdo gjëje që më jep sikur edhe vetëm një grimcë fare të padukshme për sytë tuaj. Mirënjohëse për ata që më mësuan punën, respektin, dashurinë, faljen dhe tolerancën. Mirënjohëse, edhe ndaj atij fshati mikroskopik që më jep ajrin, qetësinë dhe paqen që nuk e gjej kund tjetër, edhe për Tiranën që më dha shkollën, mundësitë dhe shoqërinë. Të dashur ju që keni pyetje të tilla prej fodullëku, kam një « Faleminderit » edhe për ju, sepse unë i jam mirënjohëse çdo copëze që më rrit mua si individ dhe ju jeni kontribues patjetër, por dua edhe të dini që ju nuk qeshni dot me mua edhe me shumë të tjerë si unë sepse nëse ne ngrejmë « me puthje » çdo ditë një tullë të re cilësore në kështjellën tonë të suksesit, ju krekoseni çdo ditë mbi tulla të vëna « me pështymë » në kështjellën tuaj të rrënimit.

Megjithatë rrënimi juaj i rri shumë pranë suksesit tonë dhe do ishte mirë të kuptoni ku ndodheni nëse nuk e dini ende.

Me te lexuarat

INSTAGRAM