Nuk është e thjeshtë të jesh grua

Ndodh shpesh të dëgjosh e të diskutosh për disa mendësi e mentalitete të prapambetura të cilat ne kryeqytetasit nuk pranojmë që sot, në shekullin e 21-të, të ekzistojnë ose nuk duam aspak t’ja dimë nësë nuk ndodhin në Tiranë apo nëse nuk ofrojnë mjaftushëm për të bërë spektakël mediatik.
Sot në ditën e gruas dua të flas, duke marr shkas patjetër edhe nga rasti i fundit i bërë publik në programin televiziv të Top Channel “Dua të të bëj të lumtur” që drejtohet nga Arbana Osmani. Do doja në fakt që për një moment mediat online të ndalonin së komentuari apo kritikuar koleget, kur përpara “paaftësisë” dhe “mediokritetit” të programit televiziv, kemi një rast për të cilën duhet urgjentisht të flitet.
Nuk mundet që këto raste thjesht të injorohen apo të vihen në plan të dytë sepse pikësëpari, na intereson të thashethemojmë e thumbojmë Arbanën apo tjetrën e tjetrën.
Në hapësirat e tyre televizive shikohet kaq shumë të thirret e të luftohet për fuqinë  e gruas, por fatkeqësisht ngjan kaq e rremë dhe e shtrembëruar kur shikon vërdallë tek shkruhen artikuj duke thumbuar njëra tjetrën. 
Nuk do ti quaja aspak kritika sepse nëse kritika nxit dhe kërkon të përmisojë, komentet mediatike synojnë të të kujtojnë se kush paskërke qënë dhe se kush nuk meriton kurrsesi të jesh.
Do të sugjeroja që këto gra të mblidheshin të gjitha bashkë e të bënin një xhiro nëpër skutat e Shqipërisë për të parë aty se cfarë i ndodh një gruaje që i duhet të zgjohet në 4 të mëngjesit, ti vërë kafen përpara burrit , të mjelë lopën e dhinë, të kujdeset për arat e kopshtet, të pastrojë shtëpinë, të presë e të përcjellë, të rrisë fëmijë dhe të mos pyetet kurrë; ajo cfarë do?
Të shohin e të dëgjojnë që ato gra kurrë nuk patën mundësinë për të zgjedhur, për të studiuar, për tu pyetur e për të luftuar. Këto gra edhe sot, në shekullin e rrjeteve sociale dhe të modernizimit global, dhunohen, shahen, shtypen e pështyhen.

Nuk mendoj se janë burrat ata që duhet të edukojmë sepse ata e dinë shumë mirë se dhuna është e patolerueshme, e pafalshme dhe e dënueshme. Ky edukim ju nevojitet vetëm GRAVE.

Dikush duhet ti bindë këto gra të duan veten dhe të fillojnë të besojnë se ata vlejnë dhe se mund të bëhen kushdo që ata duan edhe pa marrë lejen e burrit të shtëpisë. Duhet të binden se gruaja nuk është vetëm një yzmetqare të cilës nuk ju dashka as e drejta e fjalës.
Dikush duhet tju tregojë atyre si të mësojnë femijët e tyrë të luftojnë për tu përmisuar, tu mësojnë vajzave që të punojnë fort për të qënë të zonjat e vetes sepse të duash të promovosh seksualitetin tënd për të patur një jetë më të mirë, nuk është aspak më ndryshe sesa të jesh e nënshtruara e dikujt.
Tu mesojnë djemve se për të qënë burrë nuk duhen vetëm 2 testikuj dhe një dorë hekuri.

Këto thirrjet për fuqinë e gruas që bredhin sa nga njëri portal tek tjetri, shoqet e Marselës të cilave ju duhet të bëjnë rrugën në këmbë për 45 minuta që të shkojnë në qendrën e fshatit, nuk kanë mundësi ti lexojnë dhe ndërkohë që them këtë, mendoj ndoshta edhe më mirë që nuk i shohin sepse do të kuptonin se cdo gjë bëhet për fasadë dhe se në thelb ata nuk do të mund të bëjnë asgjë për veten e tyre.

Nëse vërtetë do duam ta luftojmë këtë shtypje ndaj grave tona kaq të palodhura që kurrë nuk ankohen, do duhet të jemi atje ku betejat bëhen. Sepse ndërkohë që një grua sulmon tjetrën, mbi taka përpara një kamereje apo ulur mbrapa një ekrani, burrat do të jenë duke i kujtuar e vërtetuar njëri tjetrit pse ata sundojnë. 

Me te lexuarat

INSTAGRAM